Agjërimi i Ramazanit: Kohë për mendim, veprim dhe ndryshim!

Agjërimi është mundësia e artë që për një vit të bëhet llogari mbi shumë gjëra, duke filluar nga sjelljet tona me Zotin, njerëzit, natyrën dhe veten, e deri te rishikimi i gjithë atyre që kemi ndërtuar dhe ndarë me të tjerët.

Është shansi ideal për ta shqelmuar egon dhe përsëri për të dalë më mirë me veten, për të larguar ushqimin dhe sërish për të dalë më i shëndetshëm. Duke filluar nga dobia për karakterin e deri te ajo për organizmin, ja disa arsye për të agjëruar këtë vit!

Zhvillon karakterin

Agjërimi është një institucion për përmirësimin e karakterit moral dhe shpirtëror të qenies njerëzore. Qëllimi i agjërimit është të ndihmojë në zhvillimin e vetëpërmbajtjes, vetë-pastrimit, vetëdijes, dhembshurisë, frymës së kujdesit dhe dashurisë ndaj Zotit. Agjërimi është një traditë universale, por agjërimi islam dallon nga gjithë të tjerët. Ai nuk ka të bëjë thjesht me urinë ose mohimin e të mirave, por është një akt adhurimi dhe bindjeje ndaj Zotit, falënderim, falje dhe trajnim shpirtëror.

Vetë reflektim

Ramazani na jep një pushim dhe na siguron një mundësi të rrallë për të menduar për veten tonë, të ardhmen tonë dhe familjet tona. Është një kohë për t’i dhënë vetes një pushim mendor dhe për të harruar përkohësisht qindra shqetësime dhe strese me të cilat bombardohemi vazhdimisht. Në kohët e ethshme që po jetojmë, na kjo kohë e vlefshme për të menduar për jetën. Ky nuk është një luks, por është një domosdoshmëri! Ramazani është një muaj unik i vetëanalizës, ku rishikohen gjithë detyrimet morale dhe shpirtërore.

Zhvillon dhembshuri

Agjërimi ngulmon në durim, vetëdijesim dhe mirënjohje. Kur agjërojmë, ndiejmë dhimbjet e privimit dhe të urisë, dhe mësojmë se si ta durojmë. Kuptimi i kësaj përvoje të fuqishme në një kontekst social dhe humanitar është se ne bëhemi një me të shtypurit dhe nevojtarët në mbarë botën dhe u përgjigjemi nevojave të tyre me më shumë dhembshuri.

Ky është muaji i duhur për të vizituar të varfrit, të sëmurët dhe nevojtarët, dhe për të ndarë dhimbjet e tyre. Është muaji ku ushqimi dhe fitimet e një muslimani besimtar rriten dhe bekohen.

Zhvillon përshtatshmërinë

Agjërimi në Ramazan na mundëson të zotërojmë artin e përshtatshmërisë dhe menaxhimin e kohës. Agjërimi i bën njerëzit të ndryshojnë gjithë rrjedhën e jetës së tyre të përditshme. Kur e bëjnë ndryshimin, ata natyrshëm përshtaten me një sistem dhe orar të ri dhe lëvizin planet për të zbatuar rregullat.

 Kjo, në planin afatgjatë, zhvillon një ndjenjë të mençur të përshtatshmërisë dhe fuqisë së vetë-krijuar për të kapërcyer vështirësitë e paparashikueshme të jetës! Një person që vlerëson përshtatshmërinë, menaxhimin e kohës dhe guximin, do të vlerësojë efektet e Agjërimit në këtë drejtim.

Kultivon Dashurinë

Ramazani kultivon në parimin e dashurisë së sinqertë, sepse kur praktikojmë agjërimin, e bëjmë atë nga dashuria e thellë për Zotin. Dhe një person, i cili e do Zotin, me të vërtetë është një person i cili e di se çfarë është dashuria dhe pse të gjitha krijesat në Tokë duhet trajtuar me dashuri dhe drejtësi, për hir të Zotit.

Lartëson Shpirtin

Agjërimi e lartëson shpirtin njerëzor dhe rrit vetëdijen tonë për Zotin. Kjo e forcon vullnetin tonë, ndërsa mësojmë të ngrihemi mbi dëshirat tona e ulta. Institucioni i agjërimit është unik dhe një përvojë e përbashkët në historinë njerëzore. Që në fillim të kohës, njerëzit kanë luftuar për të zotëruar veten e tyre fizike dhe psikologjike: trupat e tyre dhe emocionet e tyre. Uria është një nga ndjenjat më të fuqishme që mund të përjetojmë. Por pak jemi të vetëdijshëm se shumë njerëz në botë kanë mungesë të ushqimit, apo cilësi tejet të dobët të tij.

Prandaj kur një person mohon me dashje diçka për vetveten, ai ngrenë mendjen mbi trupin, arsyen mbi vullnetin, sakrificën mbi pasionin.

Personi i cili mund të sundoj dëshirat e tij dhe t’i bëjë ato të punojnë në favor të së mirës, ka arritur përsosmërinë e vërtetë morale.

Zhvillon qartësinë e mendjes

Kur qartësohet mendja arrihet një fokus më i madh. Për studentë, periudha e agjërimit, veçanërisht herët gjatë ditës, shërben si një mjet për të përqendruar mendjen tek literatura. Në muajin e Ramazanit, shumë muslimanë përpiqen të shmangin televizionin dhe disa aktivitete të tjera të kohës së lirë, gjë që kursen shumë kohë dhe energji për t’u shpenzuar në aktivitete më produktive si leximi, lutjet, apo të kaluarit kohë me familjen.

Është një përkujtim i detyrës sonë ndaj Zotit, qëllimit tonë dhe vlerave më të larta në jetë, dhe vet Zoti e përshkruan qëllimin e agjërimit me këto fjalë: “O ju që besuat! Ju obligohen agjërimet ashtu siç u ishin obliguar atyre që ishin para jush, që të bëheni të druajtur (ndaj Zotit)” – Kurani Famëlartë 2:185.

Zhvillon një mënyrë të shëndoshë jetese

Agjërimi ka shumë përfitime të vërtetuara shkencërisht për shëndetin fizik dhe për mirëqenien mendore. Koha, gjatësia dhe natyra e agjërimit islam, të gjitha kontribuojnë në efektin e përgjithshëm pozitiv. Një nga përfitimet mjekësore është një pushim shumë i nevojshëm për sistemin e tretjes. Reduktimi i konsumit të ushqimit gjatë ditës i lejon trupit të përqendrohet në heqjen e toksinave të dëmshme të akumuluara si nënprodukte të tretjes së ushqimit gjatë gjithë vitit. Gjatësia e agjërimit ditor (rreth 12-14 orë) është në sinkronizim me ‘kohën e kalimit’ të ushqimit nga goja deri në zorrë, duke siguruar që asnjë stimul të mos arrijë në stomak ose në sistemin e tretjes.

Prandaj, për shumicën dërrmuese të individëve të shëndetshëm, agjërimi nuk paraqet rreziqe mjekësore, por në të vërtetë siguron shumë përfitime shëndetësore.

Ndërgjegjësim mbi jetën dhe e vdekjen

Agjërimi na bën të kuptojmë realitetin e jetës dhe vdekjes. Agjërimi na bën të kuptojmë se si janë të varura jetët tona nga disa mirësi si ushqimi dhe uji.

Na bën të mendojmë për varësinë tonë nga Zoti dhe mëshirën e Tij ndaj nesh. Për më tepër, agjërimi na kujton jetën pas vdekjes, e cila në vetvete ka një ndikim të madh në karakterin dhe pikëpamjen tonë.

SHPËRNDAJE