Afganistani përgjaket me 900 të vdekur dhe 800 të plagosur në janar

KABUL (AA) – Afganistani ka filluar një vit të përgjakshëm, pasi vetëm gjatë janarit, janë regjistruar 1.700 viktima, të vdekur dhe të plagosur, si pasojë e zhvillimeve të luftës.

Shifrat e përpiluara nga Anadolu Agency (AA) flasin se mbi 900 persona janë vrarë dhe të paktën 800 të tjerë janë plagosur anembanë vendit gjatë sulmeve terroriste dhe operacioneve të sigurisë.

Në mesin e të pësuarve ka militantë, trupa afgane dhe të huaja si dhe civilë.

Natën e Vitit të Ri, talebanët sulmuan qarkun Sayaad në krahinën veriore të Sar-i-Pul, duke vrarë të paktën 20 forca të sigurisë, ndërsa 20 të tjerë mbetën të plagosur.

Kjo erdhi në vazhdën e përpjekjeve të fundit amerikane për bisedime me talebanët, në mënyrë që t’i jepet fund luftës e cila ka hyrë në vitin e 18-të.

I dërguari i lartë amerikan për Pajtim në Afganistan, Zalmay Khalilzad, takoi përfaqësuesit talebanë për herë të parë në një takim i cili u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabe, një muaj para këtij sulmi.

Së fundmi, forcat afgane kanë përqafuar një qasje më ofensive, duke emëruar dy ish shefa të inteligjencës për ministra të Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme, Asadullah Khalid dhe Amrullah Saleh.

Ndonëse Saleh dha dorëheqjen pas emërimit të tij si nënkryetar, Khalid vazhdon të drejtojë ofensivat kundër rebelëve në bastionet e tyre më të forta, siç është provinca Helmand në Afganistanin jugor.

Incidenti i vetëm vdekjeprurës me viktima civile u regjistrua në qarkun e Helmandit të cilin e kontrollojnë talebanët. Në një sulm ajror të kryer nga forcat amerikane më 25 janar u vranë të paktën 16 anëtarë të një familjeje.

Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos dy javë më parë, presidenti afgan, Ashraf Ghani, tha se 45.000 forca të sigurisë janë vrarë që nga viti 2014.

Shifrat të cilat i prezantoi ai, paraqesin një pamje të zymtë të forcave afgane të cilat luftojnë kryesisht në zonat rurale.

Ndërkohë pritet që një grup i ish-zyrtarëve afganë të takohet javën e ardhshme në Moskë me liderët talebanë.

Analisti i çështjeve politike dhe të sigurisë në Afganistan, Ishaq Atmar, tha se Moska po sheh një hapje në Afganistan.

“Nëse Rusia zbaton përball SHBA-ve një rol të konfrontimit aktiv dhe agresiv në Afganistan, atëherë do të mund që gjërat të bëhen më të paqëndrueshme, herët ose vonë”, tha ai.

I dërguari amerikan dhe talebanët arritën marrëveshje mbi dy çështje, që janë tërheqja eventuale e trupave të huaja dhe ndërprerja e sulmeve terroriste nga toka afgane.

Megjithatë, komentet e fundit të kryenegociatorit taleban, Sher Mohammad Abbas Stanekzai, zbuluan një pasiguri nëse është arritur një marrëveshje paqeje.

Në një video-intervistë, ai tha se talebanët nuk e njohin qeverinë dhe presin që ushtria afgane të shpërbëhet pas marrëveshjes së paqes.

“Kjo forcë, kjo ushtri, u bë nga amerikanët. Kur amerikanët të largohen, ata natyrisht do të shpërbëhen”, tha ai.