Afganistan, presidenti Ashraf Ghani fiton mandatin e dytë

Rezultatet paraprake të shumëpritura dhe të vonuara të zgjedhjeve presidenciale në Afganistan u bënë të ditura sot, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Komisionit të Pavarur Zgjedhor të vendit, presidenti në detyrë Ashraf Ghani siguroi minimumin e kërkuar prej 50 përqind plus një votë në raundin e parë të mbajtur më 28 shtator, duke mos lënë vend për raundin e dytë.

Hava Alam Nuristani, kryetare e Komisionit të Pavarur Zgjedhor, tha në një konferencë për shtyp se komisioni është përpjekur shumë për të siguruar ndershmëri dhe transparencë në zgjedhjet e dëmtuara nga parregullsitë, pretendimet për mashtrim dhe lëshimet teknike.

Sipas rezultateve, Ghani mori 50,6 për qind të votave, i ndjekur nga Shefi Ekzekutiv i tij për ndarjen e pushtetit, Abdullah Abdullah, me 39,5 për qind, dhe udhëheqësi veteran Gulbuddin Hekmatyar me 3,8 për qind të votave.

Ekipi i Abdullahut ka refuzuar rezultatet.