Abrashi humbet takimin me Spanjën dhe Italinë

Mesfushori energjik i Kombëtares shqiptare të futbollit Amir Abrashi pësoi një dëmtim të rëndë në Bundesliga në fundjavë dhe analizat e detajuara të kësaj të hëne konfirmuan mungesën për të paktën 4 javë nga fushat e lojës.

Futbollisti i Frajburgut vuajti këputjen e pjesshme të ligamenteve në këmbën e djathtë në humbjen e thellë 4-0 ndaj Bajer Leverkusen dhe u zëvendësua nga Majk Frantz pas vetëm 28 minutash.

Amir Abrashi ishte aktivizuar vetëm dy ndeshje këtë sezon në Bundesligën gjermane, dhe pritej të ishte në formacionin titullar edhe këtë të mërkurë ndaj Hanoverit.

Mungesa e një mesfushori qendror me tipare mbrojtëse kthehet në shqetësim për trajnerin Kristian Strajh, por më shumë komplikon skemat e trajnerit Panuci në kombëtaren shqiptare.

Kuqezinjtë do të luajnë ndaj dy skuadrave më të forta të grupit muajin që vjen, pikërisht me Spanjën dhe Italinë, transmeton TCh.

Kombëtarja shqiptare do të duhet të bëjë pa Abrashin në 6 tetor në transfertën iberike, si dhe në ndeshjen me Italinë të programuar 3 ditë më vonë në “Elbasan Arena”.