AAK e NISMA kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme

Koalicioni opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, janë shprehur të gatshëm që të hynë në zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, deri më tani zgjedhjet kanë mbetur opsioni i vetëm për të tejkaluar pengesat politike.

Ky bllok opozitar thotë se qeveria e ka humbur fuqinë e qeverisjes dhe se nuk ka bërë dhe as nuk ka vullnet të bëjë ndonjë ndryshim pozitiv në vend.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka theksuar për Indeksonline se një gjendje çfarë është tani në Kosovë, në një shtet normal dhe me një qeveri me dinjitet do të ishim shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Kjo qeveri a ka humbur kuptimin dhe dinjitetin sepse ka rënë niveli i tyre qeverisës. Kjo është vërtetuar edhe nga sondazhet, por edhe nga qytetarët. Kjo qeveri nuk ka bërë ndonjë ndryshim pozitiv në Kosovë dhe e vetmja zgjidhje e mbetur e këtij problemi janë zgjedhjet”, ka deklaruar Lekaj.

AAK mendon që për të fituar legjitimitetin e një qeverie tjetër duhet shkuar me votë, sepse kjo qeverisje i ka bërë shumë dëme vendit dhe as për së afërmi nuk janë të gatshëm t’i realizojnë premtimet e tyre”, ka thënë deputeti Lekaj.

Ndërkaq edhe sekretari i NISMA-s, Bilall Sherifi, ka thënë për Indeksonline se janë të gatshëm për zgjedhje, për të cilat ai thotë se kanë mbetur zgjidhja e vetme për ta rrezuar një qeveri pa kredibilitet.

“Gjithsesi që përderisa kemi thënë në vazhdimësi që zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje edhe jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje”, ka thënë Sherifi.