A po hanë kosovarët pemë dhe perime me kimikate, sqaron AUV

Gjatë muajve të fundit u raportua se në Shqipëri fermerët po përdorin pesticide dhe kimikate të ndryshme në pemë dhe perime. Shqetësim i njëjtë është shfaqur edhe në vendin tonë.

Deri më tani në Kosovë nuk është hasur në ndonjë produkt të dyshimtë. Aktualisht, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka marrë mostra në produkte të ndryshme në import dhe i ka dërguar në Institutin Bujqësor në Pejë për analiza në prezencë të nitrateve.

Por rezultatet ende nuk janë bërë publike. Të paktën kështu thonë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Zyrtari për Informim nga AUV, Lamir Thaçi ka thënë për lajmi.net se kjo agjenci përmes inspektorëve Fitosanitar kufitar dhe të brendshëm në vazhdimësi është duke ushtruar kontroll në produktet me origjinë bimore përfshi pemë-perimet.

“Të gjitha ngarkesat qe hyjnë në vendin tonë janë duke u kontrolluar nga inspektorët sipas procedurave standarde për kontroll. Në ketë sezon kur rritet importi për fruta-perime, ne ngrisim masat e nivelit të kontrollit për këto produkte. Nga të dhënat e kufirit për ketë vit deri me tani të gjitha ngarkesat me fruta perime u janë përgjigjur kushteve të sigurisë për import. Gjatë kontrolleve nuk kemi hasur në ndonjë produkt të dyshimtë. Po ashtu të gjitha mostrat qe i kemi marrë deri me tani kanë rezultuar brenda limiteve të cilat u përgjigjen kushteve për konsum”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka theksuar se të gjitha mostrat që i kanë marrë vitin e kaluar për testim në prezencë të nitrateve kanë rezultuar negative në të gjitha llojet e frutave dhe perimeve që janë testuar.

“Kontrolli i mbetjeve bazohet në rregulloren RREGULLORE (QKR) – Nr. 43/2013 PËR CAKTIMIN E NIVELEVE MAKSIMALE PËR KONTAMINUES TË CAKTUAR NË PRODUKTE USHQIMORE PËR NJERËZ DHE SUBSTANCA TË PADËSHIRUESHME NË USHQIM PËR KAFSHË, rregullore e cila tani është ne fazën finale të amandamentimit. Kjo rregullore është e harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropin përfshi edhe limitet e kontaminanteve. Të gjitha mostrat qe i kemi marr vitin e kaluar për testim në prezencë të nitrateve kanë rezultuar negative në të gjitha llojet fruta perime të cilat janë testuar”.

Ndërsa, këtë vit edhe pse janë marrë mostrat e produkteve të ndryshme ende nuk kanë dal rezultatet.

“Këtë vite kemi marrë mostra në produkte të ndryshme në import dhe i kemi dërguar në Institutin Bujqësor në Pejë për analiza në prezencë të nitrateve. Po sa t’i kemi rezultatet do t’i bëjmë publike dhe masat ndërmerren bazuar në rezultate dhe procedurat ligjore. Ende nuk kanë dalë në treg perimet nga prodhuesit vendas, po sa të fillohet dalja në treg ne do të ushtrojmë kontroll edhe tek prodhimet vendore. Do të testohen dhe analizohen. Tani bashkë me projektin “Mbështetje në fuqizimin e kapaciteteve të sistemit të  prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve në Kosovë ” jemi duke hartuar udhëzimin administrativ: Për plehrat me nitrat amoni me përmbajtje të lartë të azotit dhe udhëzimin administrativ: Mbi procedurat për marrje të mostrave të plehrave për kontroll dhe përgatitje të tyre. Këto udhëzime do ta rregullojnë fushën e kontrollit për plehrat dhe përbërësit”.

Tutje, Thaçi ka thënë se dyshimet të cilat janë ngritur në publik për prezencë të nitrateve në fruta perime i kanë përcjell me seriozitet dhe të gjitha informatat i kanë mbledhur dhe i kanë trajtuar.

“Matjet me mjete apo aparatura amatore nuk japin rezultatet të cilat ne mund të bazohemi. Kontrolli zyrtarë shtetërore bazohet në ligje, rregullore dhe udhëzime administrative të cilat në vete përmbajnë edhe limitet e përbërësve, ndotësve dhe kontaminantëve. Ato parashohin metodat e marrjes se mostrave dhe testimin e tyre, sipas metodave laboratorike të cilat japin rezultate të besueshme. Të gjitha këto elemente janë të rëndësishme për nxjerrjen e rezultateve të sakta, të cilat ne i ndjekim me përpikëri. Kemi staf të kualifikuar dhe bashkëpunojmë me laboratorë të akredituara. Për metodat dhe testimet laboratorike mund të konsultoheni me laboratorët referente”, ka përfunduar Thaçi.

Theksojmë se nitratet përdoren për të ruajtur ushqimet kryesisht perimet, ndërsa përdorimi i tepërt i tyre është jashtëzakonisht i dëmshëm për shëndetin.

SHPËRNDAJE