A isha dje, i gatshëm për të vdekë?!

Shkruan: Hoxhë Husamedin Abazi

Tani kur dihen viktimat, të plagosurit, rrënimet dhe dëmet vërtetë kolosale nga tërmeti i rënd që goditi një pjesë të trupit tonë, po e lejojë veten të shkoj pertej tërmetit, përtej trupit, përtej dheut dhe përtej Ademijetit tonë: A isha dje, i gatshëm për të vdekë?!

Kjo pyetje ishte e para që mu rrokullisë në kokë, dje në agimin e hershëm, porsa e lexova mesazhin e Hoxhës Jetimu Zeman Burhan Filit: “A e ndëgjuat te ju, neve këtu në Tiranë na dridhi fort”! Me të parë edhe lajmet që vinin nga andej, vërtetë u tmerruam dhe u pikëlluam pa masë, per këtë sprovë, me të cilën u goditën motrat dhe vëllezërit tanë në atë pjesë të Vatanit tonë të shtrenjtë.

Megjithate ky rast edhe një here më bëri me dije se unë nuk jam i këti dheu, edhe pse në trupin tim e barti ate, edhe një here e kuptova se njeriu viziton vende të ndryshme, por nuk rehatohet pos në “Vendpushimin” e tij, edhe një here e kuptova se sa i vëmendshëm dhe vigjilent duhet të jesë njeriu për pafuqinë e tij dhe për gatishmërinë e tij për të mos qenë më këtu! Në atë moment fillova të mendoj, a isha i gatshëm të vdisja dje?! Ai moment më bëri, të bëhem gati, për të vdekur sot!

Ai moment ma kujtoi porosinë e madhe të Allahut: “Shembulli i jetës së kësaj bote është si i një shiu që e kemi zbritur nga qielli, e me anën e të cilit gërshetohen bimët e tokës (mbijnë dhe shpeshtohen të gjitha llojet) prej nga hanë njerëzit e kafshët, deri kur toka të ketë marrë stolinë e vet dhe të jetë zbukuruar (me bimë, pemë e behar), e banorët e saj të mendojnë se janë të zotët e saj, e asaj i vjen urdhëri ynë, natën ose ditën, Ne e bëjmë atë (të mbjellat) të korrur sikurse të mos ekzistonte dje. Kështu Ne u sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë. Allahu fton për në shtëpinë e paqës(xhennet), dhe atë që do, e vë në rrugë të drejtë”. (Junus 24-25).


Po ashtu Allahu porositë e thotë:”E ti (Muhammed) paraqitjau atyre shembullin e kësaj bote që është si një ujë (shi) që Ne e lëshojmë nga qielli, e prej tij bima e tokës zhvillohet e shpeshëtohet sa që përzihet mes vete, e pas pak ajo bëhet byk (pas tharjes) që e shpërndajnë erërat. Allahu ka fuqi për çdo send. Pasuria dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë”. (El Kehf 45-46).


Ndërsa në suren Gafir, Allahu thotë: “Ai që kishte besuar tha: “O populli im, ejani pas meje, e unë t’ju udhëzoj në rrugën e drejtë! O populli im, kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se një përjetim i përkohshëm, ndërsa bota tjetër është ajo e përhershmja” (Gafir 38-39).
Ndersa Abdullah Ibn Omeri thotë: ” Më rroku Pejgamberi a.s për trupi dhe tha: O Abdullah, ji në këtë botë sikurse je i huaj apo si një kalimtarë rasti dhe konsideroje veten nga banorët e varreve! Vazhdoi e më tha: O Ibn Omer, kur të gdhihesh në mëngjes, mos i folë vetës për mbrëmjen, dhe kur ta arrishë mbrëmjen, mos i folë vetës për mëngjesin! Merr nga shëndeti yt, para se të sëmuresh, dhe nga jeta jote, para se të vije vdekja, sepse ti nuk e di o Abdullah, cili do jesë emri yt nesër”?! (Ahmedi dhe Buhariu)


Në tjetrin rast Enesi r.a thotë: ka thënë I Dërguari a.s: “Ati që i është preokupim bota e ardhëshme, Allahu do t’ia bëjë zemrën e tij të pasur dhe do ja lehtësoj dertin. Të tillit do t’i vije dynjaja, deshi sdeshi ajo! Ndërsa ati që i është bërë preokupimi më madhorë dynjaja, Allahu do ja vendosë varfërinë ndërmjet dy syve të tij, do t’ia shpërndanë dertin dhe nuk do i vije nga dynjaja, pos asaj që i është përcaktu”. (Tirmidhiu dhe Albani në Silsile Sahiha)


Ai moment më bëri të mendoj se a jamë i barazuar me obligimet që i kam ndaj Krijuesit dhe krijesave, kujt i kam borgj dhe a ja kam vonu këthimin? A jamë pendu për mëkatet dhe lëshimet e kaluara? A e kam shkarku dhe letu trupin tim, që nëse vdes dhe më qajnë të afërmit, unë të qeshi dhe të fluturoj xheneteve që syri nuk i ka pa, veshi nuk i ka dëgju dhe as mendja kujt si ka shku për ato bukuri e mrekulli që Allahu i dashur dhe i lartësuar i ka përgatitë për të lehtësuarit nga mëkatet!


Pa i harruar tjerat, me të cilat gjatë këtyre 35 orëve jemi preokupuar, kemi folur dhe është folur, për mua Ezani më kumbues ishte ky qe edhe e ndjeva për obligim me e nda edhe me gjithë ju të dashur: A isha dje i gatshëm me vdekë?! Po ti…?!

P.s Ajetet dhe Hadithet e lartcekura, kursesi nuk duhet kuptuar se ato thërrasin në asketizëm ekstrem dhe ne lënjen pas dore të kësaj bote dhe angazhimin në të gjitha fushat e jetës. Përkundrazi ato janë ftesë për angazhim dhe dinamikë në të gjitha poret e jetës por, gjithmonë duke e synu përfundimisht ahiretin me to.

SHPËRNDAJE