A duhet të shkarkohet Behgjet Pacolli pas dështimeve të diplomacisë kosovare

Sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë e jashtëzakonshme ku u diskutua në lidhje me dështimin e Kosovës në sferën e politikës së jashtme.

Kosova së fundmi ka dështuar të bëhet anëtare e INTERPOL-it dhe kjo ka bërë që deputetët e opozitës të kërkojnë shkarkimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacollit.

Lajmi.net ka kontaktuar politologun Ramush Tahiri dhe analistin Artan Demhasaj për t’i pyetur në lidhje me kërkesën e opozitës për dorëheqjen ose shkarkimin e Behgjet Pacollit nga posti i ministrit të Punëve të Jashtme.

Ata të dy janë shprehur se dorëheqja është akt moral, por kanë ndarë mendime të kundërta sa i përket politikës së jashtme të Kosovës.Politologu, Ramush Tahiri është shprehur se dështimi i Kosovës për tu bërë anëtare e INTERPOL-it, nuk është dështimi i vetëm i politikës së jashtme të Kosovës, por edhe dështimi në prurjen e njohjeve të reja.

“Dorëheqja është akt moral, këta munden me e kërku atë vetëm si akt moral, por është në vullnetin e tij për të dhënë ose jo dorëheqje”, ka thënë Tahiri për lajmi.net.“Kryeministri mundet me e shkarku, deputetët mund të diskutojnë dhe të kërkojnë nga kryeministri shkarkimin e tij ose me letër personale me ia kërku dorëheqjen, për shkak të dështimit në INTERPOL por edhe për dështimin në prurjen e njohjeve të reja”, ka vazhduar ai.Ai është shprehur se procedurë tjetër nuk ka, përveç shkarkimit të komplet qeverisë.“Procedurë tjetër nuk ka, procedure tjetër është shkarkimi i komplet qeverisë”, është shprehur Tahiri.Ai gjithashtu ka komentuar se problem tjetër është se në qeverinë Haradinaj, përgjegjës për ministrat janë vetë partitë që i emërojnë dhe shkarkojnë ministrat.Ndërsa analisti Arton Demhasaj për lajmi.net ka thënë se jo gjithçka është varur nga Ministria e Punëve të Jashtme në INTERPOL, sepse ky proces ka qenë politik me një fushatë të egër të Serbisë tek vendet e tjera që të votojnë kundër Kosovës.“Dorëheqja është akt moral, për shkak se unë mendoj se jo gjithçka është varur nga MPJ-ja, si anëtarësimi në INTERPOL, sepse ky proces ka qenë tipik politik, Serbia ka bërë fushatë të egër në vendet e tjera me votu kundër Kosovës”, është shprehur Demhasaj për lajmi.netDemhasaj duke komentuar kërkesën e opozitës për dorëheqje është shprehur se Vetëvendosja mund të ketë të drejtë në këtë kërkesë pasi asnjëherë nuk kanë qeverisur me vendin, por LDK-ja nuk ka të drejtë, pasi në LDK-ja ishte në qeverisje, Kosova ka dështuar të pranohet në UNESCO.

“Nëse kthehemi tek kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Pacollit, mendoj se Vetëvendosja ka të drejtë në një kërkesë të tillë, për arsye se nuk kanë qenë asnjëherë në qeveri, mirëpo me e kërku LDK-ja dorëheqjen e Pacollit, ne e dimë se LDK-ja ka qenë në qeveri kur Kosova ka dështu me u anëtarësu në UNESCO dhe ka heshtur, nuk kanë kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Jashtme të asaj kohe”, është shprehur Demhasaj.

Gjithashtu Demhasaj ka shtuar se kur ka dështime të tilla, akti i dorëheqjes është akt moral.