A do të sjellë drejtësi Gjykata Speciale

Gjykata Speciale tashmë i ka dërguar kërkesën e parë për intervistim ish-komandantit të UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa i njohur si “Remi”, i cili pritet që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë.

Por, ish-komandantët e UÇK-së nuk po besojnë se kjo gjykatë do të sjell drejtësi në vend. Madje, ata thonë se Gjykata Speciale është e padrejtë për UÇK-në.

Rexhep Selimi, njëri nder themeluesit e UÇK-së dhe ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se Gjykata Speciale nuk sjell drejtësi në Kosovë.

Ai ka thënë se janë kundër Gjykatës Speciale, pasi sipas tij kjo gjykatë e paragjykon UÇK-në.

“Gjykata Speciale në Kosovë është një gjykatë e padrejtë për UÇK-në. Nuk sjell drejtësi në Kosovë, jemi kundër Gjykatës Speciale për shkak se ajo paragjykon UÇK-në”, ka thënë Selimi.

Ndërsa, Ahmeti Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut, tani deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se nuk beson në drejtësinë e Gjykatës Speciale.

“Nuk besoj se do të sjell drejtësi, mendoj se kjo gjykatë do të dëshmojë dështimin edhe të shumë gjykatave tjera. Gjykata Speciale dëmton Kosovën dhe luftën e UÇK-së. Unë besoj se do të dëshmohet lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Isufi.

Po ashtu, edhe Nuredin Lushtaku, ish-komandant i UÇK-së në Skënderaj, dhe ish-deputet në Kuvendin e Kosovës, mendon njëjtë si parafolësit e tij.

“Nuk besoj se ka drejtësi aty por nuk e di, nuk besojë në drejtësinë e Speciales”, ka thënë shkurt Lushtaku për lajmi.net.

Ndërkohë, pasi mori ftesën për intervistë nga Gjykata Speciale, ish-komandanti i UÇK-së nga Zona Operative e Llapit, Rrustem Mustafa i njohur si “Remi”, në një postim në Facebook, kishte shkruar se eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë.

Derisa ka treguar se ishte vetë ai që kishte përkrahur Specialen, Remi është shprehur i bindur se kjo gjykatë do të largojë perceptimet që janë krijuar ndaj UÇK-së.

“Vetëm falë organizimit vendor politik dhe ushtarak UÇK-së, sot gëzojmë lirinë, tjerat vijnë pas si mbështetje e kohës. Askush s’do të duhej të përdorte shkronjat UÇK, apo kohën e lavdisë.. Thurja e lëvdatave apo hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 18 vitesh,nuk mundet të ndikojë në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë, hetimet mbi kohën e lavdisë do të përfundojnë shpejt dhe mirë. Vazhdimisht sfidohemi nga krimet ekonomike, korrupsioni, nepotizmi dhe mafiat përtej kufijve kombëtar…”, kishte shkruar ndër të tjera Mustafa.