6980 studentë aplikojnë për pranim në konvikte

Qendra e Studentëve e UP “Hasan Prishtina” në Prishtinë, më datën 22 shtator do të shpallë rezultatet për pranimin e studentëve në konvikte për vitin akademik 2017/2018.

Konkursi ishte i hapur nga data 06 deri 14 shtator 2017. Gjatë këtij afati kohor për strehim në konvikte dhe për ushqim në mensë kanë aplikuar 6980 studentë.

Kapaciteti për banim në konvikte është rreth 4000, ndërsa për studentët e sektorit privat kapaciteti i shujtave për mensë është 1500.

Afati për ankesa eventuale është me datat 25 dhe 26 shtator 2017. Paraqitja e ankesat do të bëhet përmes sistemit online në adresat zyrtare në ueb faqen qs.rks-gov.net dhe përmes profilit zyrtar Facebook Qendra e Studenteve-Prishtine.

Gjatë procesit të ankesave nuk pranohen dokumente shtesë. Shqyrtimi i ankesave do të bëhet nga komisioni për ankesa.