68 mafioz italian abuzuan me fondet për emigrantët, tani ne pranga

Policia italiane arrestoi rreth 68 persona, pjesa më e madhe e të cilëve mafiozë ose të lidhur me të, me akuzën e abuzimeve me fondet publike për refugjatët. Aktualisht Italia është vendi me fluksin më të madh të refugjatëve që vijnë përmes Mesdheut, kryesisht nga brigjet e Libisë, çka ka detyruar qeverinë italiane dhe BE të vënë në dispozicion fonde për përballimin e situatës.

Operacioni “Johnny” ka në shënjestër “Ndranghetan” në Kalabri, ku dyshohet se janë shpërdoruar miliona euro në qendrat e emigrantëve.

Prokurori Nicola Gratteri, i cili drejton hetimet, tha se mafia ka fituar miliona prej emigrantëve për vite me radhë.

”Një mënyrë se si ata kanë fituar, përshembull, pretendojnë se në një kamp ishin strehuar dhe ushqeheshin 1000 vetë, ndërkohë që në të vërtetë aty kishte vetëm 500 emigrantë. Dhe në ditët e tjera kur ka pasur ndonjëherë vërtetë edhe më shumë njerëz, ata nuk kanë mundur të ushqehen, sepse s’ka pasur mjaftueshëm ushqim”, tha prokurori.

Kur ekipi i gazetarëve viziton qendrën e strehimit të refugjatëve, në kampin e dytë më të madh të emigrantëve në Sant’Anna di Isola Capo Rizzuto, drejtuesit e kampit tregojnë gjendjen përreth, por nuk duan të dalin para kamerave. Dhe të japin intervista.

Aktualisht në kamp ka më shumë se 1100 emigrantë. Në përshtypjen e parë gjithçka duket e pastër dhe e rregullt; ka në dispozicion shërbim mjekësor dhe konsulencë psikologjike, ata duket se janë të përkushtuar ndaj njerëzve në nevojë.

Prokurori Nicola Gratteri, vë në dukje, se “nga regjistrimi i telefonatave ne zbuluam, që 186 000 euro ishin të destinuara për të blerë gazeta për emigrantët, ishin pezulluar”.

Mafia nuk menaxhon vetëm qendra të emigrantëve, por edhe toka të mëdha bujqësore. Atje ato i punësojnë emigrantët duke u paguar fare pak. Kjo duket si skllavëri moderne në qendër të Evropës.

Yvan Sagnet nga Kameruni, na tregon, se kur studionte në Torino, donte të fitonte pak para. Si ndihmës për të korrat ai paguhej me 3,50 euro për 300 kilogram të vjela. Pasi punoi pesë ditë ai u indinjua nga kushtet dhe organizoi një grevë. 700 afrikanë e mbështetën atë.

Rreth 1,2 milionë njerëz punojnë në bujqësi në Itali. Sindikatat thonë se më shumë se gjysma po shfrytëzohen – gjithashtu nga mafia. Emigrantët zakonisht nuk e kanë idenë se kush qëndron pas kësaj skeme. Ata thjeshtë duan të fitojnë para për të mbijetuar.

“Këta njerëz kanë nevojë për mbrojtje, ata bien pre e shantazhuesve, ndaj duhet të angazhohen agjentë të rregullt punësimi për emigrantët, madje ka edhe një sistem të rekrutimit, që nuk realizohet vetëm në getot e emigrantëve apo në rrugë, por që i rekruton ata në qendrat e emigrantëve”, tha Yvan Sagnet. /tesheshi.com/