65 vite nga lufta për pavarësi, Algjeria ende pret që Franca të kërkojë falje

Kanë kaluar 65 vjet që kur Algjeria nisi luftën për pavarësi për t’i dhënë fund kolonisë 132-vjeçare franceze, ndërkohë që algjerianët ende presin falje dhe dëmshpërblim nga Franca për krimet e kryera, shkruan Anadolu Agency (AA).

Franca pushtoi Algjerinë, e cila për shekuj qëndroi nën administrimin osman, në vitin 1830 dhe dërgoi afër një milion kolonë për ta forcuar praninë e saj në këtë vend.

Me premtimin për një autonomi më të madhe, Franca rekrutoi algjerianë në dy luftërat botërore dhe në operacionet e tjera ushtarake. Megjithatë, ata vazhduan të trajtohen si “qytetarë të klasës së dytë” edhe pas kthimin në vendin e tyre. Nga ana tjetër, përpjekjet e tyre për përfaqësim të barabartë politik u shtypën në mënyra të përgjakshme.

Pavarësia që kushtoi 1,5 milion jetë

Algjeria nisi luftën për pavarësi kundër pushtimit francez më 1 nëntor të vitit 1954. Algjerianët, të cilët i rezistuan shtypjes së përgjakshme të Francës, fituan pavarësinë e tyre më 5 korrik të vitit 1962, si rezultat i luftës së egër që zgjati tetë vjet dhe u kushtoi me jetë rreth 1,5 milion njerëzve.

Deri më tani, Franca nuk ka kërkuar falje zyrtarisht nga Algjeria për politikat e saj koloniale.

Ndërkaq, algjerianët nuk i kanë harruar veprimet e Francës. Kjo mund të shihej në demonstratat disajavore në shumë qytete të vendit, ku kërkohej largimi i emrave që ushtruan detyrë gjatë mandatit të ish-presidentit Abdulaziz Buteflika.

Protestuesit fajësojnë jo vetëm “përfaqësuesit e regjimit të Buteflikës”, por edhe Francën për përkeqësimin e situatës politike dhe ekonomike në Algjeri.

Algjerianët kërkojnë që Franca të kërkojë falje duke pranuar krimet e kryera dhe të paguajë dëmshpërblim.

Provat bërthamore të Francës

Administrata algjeriane gjithashtu kërkon dëmshpërblim për viktimat e provës bërthamore të Francës në Algjeri.

Qeveria franceze kreu 17 prova bërthamore në shkretëtirën e Algjerisë në periudhën 1960-1966, duke shkaktuar vdekjen e 42.000 njerëzve. Mijëra njerëz të ekspozuar ndaj rrezatimit bërthamor vuajtën nga sëmundje kronike.

Dosjet në pritje

Ministria Algjeriane e Muxhahidëve deklaron se në pritje midis dy vendeve janë katër dosje që kanë të bëjnë me vitet koloniale dhe periudhën më pas. Franca refuzon të rikthejë arkivin algjerian, i cili përmban qindra dokumente dhe vepra.

Duke folur në një aktivitet me rastin e 65-vjetorit të luftës për pavarësi, ministri i Muxhahidëve, Tayeb Zitouni, tha se Franca nuk ka ndërmarrë asnjë hap në lidhje me dosjet që janë në pritje.

Më herët, Zitouni ka paralajmëruar se do të aplikojnë në gjykatat ndërkombëtare në mënyrë që të merret vendim në lidhje me këto dosje.

Ministri algjerian i ka bërë sërish thirrje Parisit të pranojë krimet, të paguajë dëmshpërblim dhe të kërkojë falje.

“Franca do të detyrohet ta njohë gjenocidin që ka kryer në Algjeri”

Historiani algjerian Muhamed al-Emin Belgis, duke folur për AA, tha se Franca po e shtyen procesin vazhdimisht sepse e kupton se sa të rrezikshme janë këto dosje për të.

“Krimet e kryera nga Franca në Algjeri shkojnë përtej këtyre dosjeve. Franca do të detyrohet të njohë gjenocidin e kryer kundër Algjerisë nga viti 1830”, thotë Belgis.

Siç thotë ai, Algjeria mund ta detyrojë Francën t’i pranojë krimet nëse çlirohet nga tutela franceze. Ai shprehet se demonstratat paqësore në vend nxorën në pah planet e “bandës së fshehtë” që sundon vendin dhe Francës kundrejt Algjerisë.