6 fjalë që duhet të njihni para se të flisni për Islamin

Holy koran

Shumë nga dyshimet që rrethojnë Islamin vijnë si rrjedhojë e mungesës së njohjes ose kuptimit të fesë që mbetet sërish e huaj për shumë njerëz, pavarësisht se numëron rreth 1.6 miliard pasues. Shpesh mungesa e njohjes rezulton në zhvlerësimin e aspekteve të rëndësishme të kësaj feje.

Fjalë si xhihad dhe sheriat janë shndërruar në sinonime të terrorizmit, dhunës dhe radikalizmit, duke rezultuar në intimidimin e muslimanve për të shprehur lirshëm këto parime të rëndësishme të fesë së tyre.

Për të ndihmuar në qartësimin e disa keqkuptimeve të zakonshme mbi një nga religjionet më të mëdha në botë, ju ftojmë të lexoni një faqe nga fjalori islam.

Islam: paqe që buron nga nënshtrimi

Fjala islam e ka rrënjën tek bashkëtingëlloret arabe s-l-m, që nënkuptojnë nënshtrim. Islami gjithashtu rrjedh nga rrënja selam, që do të thotë paqe. Pra, Islami është nënshtrimi i vullnetshëm ndaj Zotit, si forma më e lartë e paqes që njeriu mund të arrijë.

Musliman: ai që është i nënshtruar

Në arabisht, edhe fjala musliman i ka rrënjët tek bashkëtingëlloret s-l-m, njësoj si fjala Islam. Musliman është personi që është nënshtruar apo dorëzuar; në kontekstin fetar, musliman është ai person që i është nënshtruar vullnetarisht urdhëresave apo udhëzimit të Zotit, për të arritur paqen.

Allah

Fjala Allah mund të ndahet në dy pjesë. Al është një parashtesë që shërben për të shquar emrat. Pjesa e dytë, luh, përkthehet thjesht Zot. Si rrjedhim, Allah do të thotë Zoti (në trajtën e shquar). Ky është një qartësim i rëndësishëm sepse Allahu nuk është thjesht një Zot tek i cili besojnë muslimanët dhe që nuk u përket grupeve të besimtarëve të tjerë. Në këndvështrimin Islam, Allahu është i njëjti Zot tek i cili besojnë pasuesit e feve të tjera abrahamike. Për shembull, të krishterët arabë i drejtohen Zotit me fjalën Allah.

Xhihad

Fjala xhihad i ka rrënjët në foljen arabe xhuhud, që do të thotë përpjekje. Si rrjedhim xhihadi nënkupton procesin e ushtrimit të përpjekjeve, dhe mund të përdoret edhe për veprime që nuk kanë karakter fetar. Sidoqoftë, edhe në kontekstin fetar, xhihadi nuk nënkupton kryerjen e luftës së shenjtë dhe angazhimin në akte të dhunshme. Përkundrazi, forma më e lartë e xhihadit është beteja personale me egon – me shpirtin dhe zemrën. Muslimani bën përpjekje të vazhdueshme gjatë aktiviteteve të tij të përditshme jetësore, si kryerja e studimeve apo ndjekja e karrierës – për të bërë dhe arritur mirësinë në kuadër të procesit personal të vetë-përmirësimit si dhe të përmbushjes së paqes së brendshme dhe afërsisë me Allahun.

Sheriat

Fjala sheriat rrjedh nga fjala arabe shara’a që nënkupton një shteg ose drejtim që të çon tek një burim uji. Sheriati nënkupton shtegun që besimtarët duhet të ndjekin për të mbërritur tek ky burim uji, pra të jetuarit e drejtë dhe në harmoni, si diçka e dëshirueshme për të gjithë. Normat e sheriatit burojnë nga shpallja Kur’anore, nga tradita e Profetit a.s dhe të tjera burime të ligjit dhe të arsyetimit ligjor.

Medrese

Fjala medrese i ka rrënjët tek folja me bashkëtingëlloret d-r-s, që nënkupton të mësuarit ose studiuarit. Si rrjedhim, medreseja në kuptimin literal nënkupton vendin ku dikush shkon për të mësuar ose studiuar. Medreseja, edhe pse mund të jetë e tillë, nuk nënkupton domososhmerish dhe ekskluzivisht një vend ku mësohet për fe. Për shembull, një student amerikan mund t’i referohet një shkolle të mesme publike me emërtimin medrese.

Mënyra sesi këto fjalë përdoren dhe interpretohen ka ndikim në jetën e shumë muslimanëve, veçanërisht në SHBA. Retorika false, e përdorur nga pothuajse të gjithë, që nga kandidatët presidencialë të vitit 2016 deri tek fqinjët që jetojnë në derën ngjitur, ndihmon në krijimin e një mjedisi armiqësor dhe aspak mikpritës duke ushqyer ndjenja islamofobie.

Burimi: huffingtonpost.com