53 milionët e humbur, flet Lekaj

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, edhe njëherë ia ka vënë fajin ish-ministrit, Lutfi Zharku, për 53.1 milionë euro që duhet t’i paguhen kompanisë “Bechtel & Enka”.

“Duke njohur interesimin e publikut, duke dashur të jem transparent lidhur me vendimin e qeverisë për pagesën e zgjatjes së afatit, do t’jua prezantoj sot çka përmban marrëveshja për zgjatjen e afatit dhe korrespondencën zyrtare që e kemi pasur për këto vite”, tha ai sot në një konferencë për media lidhur me vendimi ne qeverisë për aneks-kontratën me “Bechtel & Enka” për autostradën Prishtinë – Hani i Elezit, njofton klankosova.

“Shuma e pajtuar e zgjatjes së afatit do të jetë 45 milionë euro + TVSH”.

“Kostoja e zgjatjes së afatit është zvogëluar nga 63 milionë euro në 45 milionë euro+TVSH pasi që ‘Bechtel&Enka’ është e gatshme të paguajë për 9.9 milionë euro për shpenzimet e shkaktuara nga reduktimi i vëllimit të punëve gjatë viteve 2014-2017”.

“Data e përfundimit të kontratës në kuptimin buxhetor, është zgjatur nga 31 dhjetor 2018 deri më 1 qershor 2019 me shpenzime zero për ministrinë e infrastrukturës”.

Lekaj shtoi mes tjerash se ministria, përmes kësaj marrëveshjeje, është duke e ulur ekspozimin financiar dhe shpenzimet e qeverisë.

“Është fakt se kemi pranuar disa njoftime dhe përpjekje për t’i zgjidhur këto çështje, dhe sot e përsëris me insistim dhe plot argumente se ka qenë e mundur të zgjidhet kjo çështje dhe të menaxhohej nëse veprimet do të merreshin me kohë”.

Ai gjithashtu shpalosi letrat e dërguara nga “Bechel & Enka” në adresë të ministrisë nga vitet 2014 e deri sivjet.

Lekaj më pas foli për marrëveshjen që qeveria aktuale e ka arritur me Bechtel & Enka për zgjatje të afatit deri më 31 dhjetor të këtij viti.

“Për shmangien e rrezikut të shuarjes së kontratës me Bechtel&Enka më 20 janar 2018, një ndryshim i kontratës është nënshkruar nga Bechtel & Enka dhe Ministria e Infrastrukturës për zgjatjen e afatit deri më datën 31 dhjetor 2018”.

“Si përfundim  me një fjalë, një kosto shtesë është për prolongim të pagesave të stafit, projektit, pajisjet, puna manuale indirekte dhe shpenzimet rrjedhëse”.

Sipas Lekajt, qeveria është e vetëdijshme për kufizimet buxhetore, dhe se i ka informatat e duhura për të vlerësuar rreziqet kontraktuale nga mangësitë buxhetore për ndërprerjen e punës dhe ndikimi në buxhet si dhe sa iu përket investimeve të huaja.

“Kemi të bëjmë me keqmenaxhim të buxhetit të ish-qeverisë, shpenzimin e mjeteve të dedikuara për autostradën “Arbën Xhaferi” janë alokuar në 260 projekte rurale-komunale nga ish-qeveria me tendencë për të fituar elektorat duke rrezikuar buxhetin”.

“Prioritet e kanë pasur veten dhe jo projektin R6 që ka qenë prioritet i qeverisë”.

“Ne nuk i kemi fajet, ne nuk e kemi nënshkruar. Në këtë drejtim e kemi pasur të pamundur që të negociojmë”.

Lekaj tha se ata e kanë hequr rrezikun dhe se Bechtel & Enka nuk ka të drejtë të bëjë kërkesë shtesë për buxhet, dhe se me këtë marrëveshje përmbyllet i tërë projekti që do të përfundojë më 31 dhjetor 2018.

Për fund, ai tha se për ta mbrojtur këtë projekt është dashur të shpenzohen edhe miliona euro dhe prapë do të ishte dashur të paguheshin shuma të mëdha shkaku, siç tha ai, i mosveprimit të ish-qeverisë.

“Punimet do të përfundojnë ndërsa pagesa do të bëhet deri në qershor të vitit 2019”.