500 shqiptarë gjenden në Kinë, gazetari tregon a janë të rrezikuar nga coronavirusi

Gazetari nga Shqipëria i cili jeton në Pekin të Kinës, Edison Murteza, në një lidhje direkte nga Kina në emisionin Frontal në T7, ka treguar se sa shqiptarë jetojnë atje dhe a janë të rrezikuar nga virusi korona.

Murteza ka thënë se të gjithë qytetarët e Kinës janë të frikësuar nga ky virus, derisa po shmangin daljet në ambiente publike.

“Të gjithë janë shumë të frikësuar, koronavirusi i ka frikësuar njerëzit, qeveria kineze dhe specialistët mjekësorë kanë kërkuar. Specialistët e mjekësisë kanë kërkuar që qytetarët të mos dalin në ambiente publike ku ka shumë njerëz, në mënyrë që të evitohet marrja e virusit”, ka treguar ai.

Ai ka shtuar se janë rreth 500 shqiptarë të cilët jetojnë në Kinë, ndërsa

“Kemi një komunitet shqiptar në Kinë dhe komunikojmë nëpërmjet rrjeteve sociale, jemi rreth 500 veta, sepse ambasada ende nuk ka ndonjë dokument zyrtar për të ditur sa janë saktësisht. Ka një numër të studentëve shqiptarë që janë në Ëuhan atje ku është vatra e virusit, nga informacionet që kam janë 7 shqiptarë, por ka mbetur vetëm një sepse të tjerët kanë shkuar në Shqipëri”, ka thënë Murteza.

Ndërkaq për kosovarët që mund të jenë në Kinë, Murteza ka thënë se përmes një miku të tij është informuar se një qytetar nga Kosova udhëton herë pas here në Kinë me leje qëndrimi njëvjeçare.

“Një miku im më ka folur për një mik të tij nga Kosova që vjen herë pas here për biznes, me lejeqëndrimi njëvjeçare. Sepse problem qëndron në marrjen e dokumenteve nga ana e kosovarëve në Kinë, sepse Kina nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as pasaportën e saj.  Duhet të aplikosh me pasaportën e Shqipërisë apo me ndonjë tjetër”, ka treguar Murteza përT7.

Kujtojmë se Autoritetet kineze kanë thënë se aftësia e shpërndarjes së një koronavirusi është duke u rritur. Ndërkohë që është raportuar se 80 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2 mijë e 700 persona janë infektuar në Kinë.

Por janë mijëra persona të tjerë që janë izoluar duke e shmangur kështu çfarëdo kontakti me të prekurit. Ndërkohë të prekurit e parë nga koronavirusi tashmë janë paraqitur në Australi, Kanada, Zvicër si dhe Francë.