500 euro ryshfet për një leje në Kamenicë – zyrtari i komunës kapet në flagrancë

Një zyrtar i lartë në Komunën e Kamenicës është arrestuar sot pasi është kapur në flagrancë duke kërkuar dhe duke i marrë ryshfet. Ai i kishte marrë 500 euro ryshfet pronarit të kompanisë “City Taxi”, në mënyrë që t’ia lejojë vazhdimin e kontratës së qarkullimit.

Fillimisht pronari i kompanisë kishte kërkuar që t’i vazhdohet kontrata e qarkullimit, por personi zyrtari i kishte vënë një kusht të jashtëligjshëm. Ai i kishte kërkuar që fillimisht t’ia jepte 500 euro ryshfet dhe më pas të vazhdoi t’i jepte edhe më shumë ryshfet, shkruan Insajderi.com

Por, pronari i kompanisë kishte lajmëruar policinë. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjilan kishin marrë një aksion ku zyrtari i lartë i kësaj komune do të zihej në flagrancë.

Prokurori për krime të rënda në Gjilan, Agron Uka ka konfirmuar për Insajderin se policia kishte përgatitur viktimën që t’ia plotësoi kërkesën zyrtarit komunal. Ndërsa menjëherë të kapej nga policia.

“Pronarit i ka kërkuar 500 euro nëse donë me vazhdu veprimtarinë tënde. Viktima ka shkuar në polici dhe njësiti antikrim dhe ai për krime ekonomike kanë kërkuar nga unë masa të fshehta të cilat janë lejuar”, ka thënë Uka.

Uka ka treguar se të hollat fotokopje prej 500 euro janë dhënë nga policia, të cilat pasi i ka marr zyrtari i lartë i kësaj komune, është arrestuar nga policia.

“Dhe nga fondi i policisë janë dhënë ato të holla fotokopje ankuesit që zyrtarit me ja dhënë, mirëpo policia ka qëndruar me video kamerë dhe kanë qenë shumë të përgatitur profesionale ku edhe është kryer operacioni me sukses.

Pasi që zyrtari i ka marrë të hollat, policia gjatë kontrollit në xhepin e majtë i kanë gjetur monedhat fotokopje dhe më pas është arrestuar”, ka thënë Uka.

Insajderi ka kontaktuar me pronarin e kompanisë “Taxi City”, i cili nuk ka preferuar të flasë. Ai ka thënë se të gjitha ato që janë thënë nga prokurori janë të vërteta. Ka thënë se nuk dëshiron të pengoi procesi me ndonjë deklaratë./Mesazhi/