Bruksel, sulmohen me thikë dy oficerë policie, evakuohet aeroporti

Dy oficerë policie janë sulmuar me thikë në atë që konsiderohet si një sulm i dyshuar terrorist, vetëm pak orë përpara se dy stacionet kryesore të kryeqytetit belg të evakuoheshin pas alarmit për bombë.

Njëri prej oficerëve raportohet të jetë goditur në qafë, ndërsa tjetri në stomak, kurse një oficer i tretë i ardhur në vendngjarje në Schaerbeek ka pësuar lëndime në hundë, sipas rrjetit televiziv belg “VRT”. Agresori thuhet se është qëlluar në këmbë dhe është larguar prej aty me ambulancë. Megjithatë, autoritetet vendase thonë se oficerët janë jashtë rrezikut për jetën.

Udhëtarë të tmerruar u detyruan të largohen nga Stacioni Verior i Bukselit, ndërsa policia nisi menjëherë hetimin për ngjarjen. Evakuimi i stacionit, qendrës së sinjalizimit dhe ndërtesës “Portalis”, ndodhi vetëm pas pasi një telefonues anonim njoftoi alarmoi policinë rreth orës 12:20.

Një zëdhënës i stacionit tha se “një mesazh kërcënues për bombë iu dha policisë. Të gjithë njerëzit u evakuuan nga stacioni, ndërsa trenat u ndalën. Kjo situatë do të vijojë derisa shërbimet e sigurisë të inspektojnë stacionin, pra së paku një orë”.

Vetëm pak më herët se ky njoftim, një agresor me thikë në duar la të plagosur dy oficerë policie në Schaerbeek, rajoni fqinj ku terroristët e sulmeve në aeroport dhe metro të 22 marsit ngritën edhe “fabrikën” e tyre të prodhimit të bombave.

Zyra e prokurorit federal të Brukselit tha për “La Libre Belgique” se nuk ende nuk ka asnjë arsye “të besohet se ky ishte një sulm terrorist”. Megjithatë, një prani e madhe policore vërehet në stacion.

Ndërkohë, një pako e dyshimtë është gjetur në stacionin tjetër “Gare du Midi”, duke shkaktuar edhe këtu evakuimin e të gjithë udhëtarëve. Përdorues të shumtë të “Twitter”-it shprehën “online” shokun e tyre për këto ngjarje.

Njëri prej tyre shkruante se “kjo është hera e dytë gjatë kësaj jave, që stacioni verior i Brukselit evakuohet për shkak të një alarmi për bombë”.

Stacioni Verior i Brukselit u evakuua edhe dy ditë më parë, ndërsa hetuesit nisën verifikimin e një pakoje të dyshimtë të gjetur brenda një makine, që ndodhej jashtë tij. Alarmi rezultoi gjithsesi të ishte i rremë, por Belgjika mbetet në nivele maksimale gatishmërie, që prej bombave që tronditën vendin në mars, kur edhe u shënuan 32 viktima.