40 vite nga pushtimi i ambasadës amerikane dhe krizës së pengjeve në Iran

Irani shënon sot 40-vjetorin e pushtimit të ambasadës amerikane në Teheran dhe të krizës pasuese me pengje, që ka zgjatur 444 ditë.

Më 4 nëntor të vitit 1979, studentët iranianë sulmuan ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë pengje 52 amerikanë për më shumë se një vit. Revolta e tyre erdhi pasi Uashingtoni refuzoi të dorëzojë shahun e përmbysur të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, për gjykim në Iran.

Pamjet televizive treguan në Teheran turma njerëzish përreth ish-ambasadës, të cilët brohorisnin slogane kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, por tubimet kishin nisur në afro 1000 qytete.

Prej atëherë, dy vendet nuk kanë marrëdhënie të qëndrueshme diplomatike.

Sot pas 40 vitesh, tensionet midis dy vendeve janë në rritje. Presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq vitin e kaluar nga një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe riktheu sanksionet amerikane kundër tyre.