4 vjeçarja kafshohet nga gjarpëri, Klinika Infektive nuk ka serum

Një vajzë 4 vjeçare është kafshuar nga gjarpëri derisa bashkë me të vëllain e saj binjakë kanë luajtur me të në oborrin e shtëpisë. Në QKUK kanë mbetur vetëm edhe dozat e fundit të serumit, derisa sivjet shtatë kosovarë raportohet se janë kafshuar nga gjarpërinjtë

Kishte dalë në oborr mesditën e së hënës. Por, 4 vjeçarja A. D. nga Syrigana e Skënderajt gjersa luante me vëllaun e saj binjak, ishte takuar me diçka jo të zakontë në oborrin e shtëpisë së saj në veriperëndim të Kosovës.

Një gjarpër ishte shndërruar për një moment në një “lodër” për vogëlushen e cila kishte kapur gjarpërin me dorë dhe kishte filluar të luaj me të. Gjatë lojës, gjarpëri e ka kafshuar vogëlushën në pjesën e dorës. Kështu, loja me gjarpërin e ka sjellë atë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Nëna e saj ka treguar se fëmijët ishin duke luajtur kur kishte dëgjuar një zhurmë.

“I dëgjova fëmijët që bërtitën. Atë moment e pashë që vajza ishte kafshuar nga gjarpëri dhe me shpejtësi e dërguam në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Runik”, thotë gruaja rreth të tridhjetave. Ajo tregon se ishte një gjarpër mjaft i gjatë.

Por mjekët në Runik të Skënderajt e kishin udhëzuar familjen që pacienten ta dërgojë në drejtim të Mitrovicës.

Por, nëna e vogëlushes A. D. thotë se nga Mitrovica vajzën e kanë sjellë direkt në Prishtinë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12 të ditës së sotme”, thotë nëna, e cila tregon se në fshatin nga ata vijnë lajmërohen shpesh gjarpërinjë.

Por, në gjithë këtë fatkeqësi mjekët thonë se ishte fat që gjarpëri nuk kishte arritur të lëshoj helmin në dorën e vajzës.

Rasti i vogëlushes A.D. nga komuna e Skënderajt është i shtati për këtë vit kur në Kosovë si rezultat i kafshimit nga gjarpërinjtë pacientët kërkojnë mjekim në Klinikën Infektive.

Drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së Hamdi Ramadani ka thënë për rtklive.com se kafshimet e gjarpërinjëve janë mjaft të shpeshta.

Ai ka thënë se trajtimi i pacientëve kryesisht shkon mirë. Por, ai ka thënë se kanë doza shumë të kufizuara të serumeve që injektohen në rastet kur pacientët sulmohen nga gjarpërinjtë.

“Ministria e Shëndetësisë na ka siguruar 3 doza. Aktualisht kemi edhe këtë pacienten e fundit, një tjetër e kemi injektuar dhe na mbetët vetëm edhe një”, ka thënë Ramadani.

Ai është shprehur se si rezultat i kafshimit nga gjarpërinjtë, 4 pacientë janë hospitalizuar derisa 3 të tjerë janë mjekuar në mënyrë ambulantore.RTKLIVE