30 mijë turq “pushtojnë” Parisin, forca shtesë sigurie për Francë-Turqi

Alarm i kuq për Francë-Turqi. Në stadiumin “Saint Denis” të kryeqytetit Paris nuk zhvillohet thjesht një ndeshje futbolli, shkruan Supersport.al.

Janë rreth 30 mijë tifozë turq që kërkojnë një biletë në stadium për superpërballjen e Grupit H, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Të gjithë kanë mbërritur në Paris nga Belgjika dhe sidomos Gjermania, ku komuniteti turk është shumë i fuqishëm. Ata janë gati të vërshëllejnë himnin francez dhe të përkrahin futbollistët turq me përshëndetje ushtarake.

Autoritetet franceze kanë marrë shtesë masa duke rritur numrin e agjentëve në të terren (600) dhe të stjuardëve në stadium (1400), për të parandaluar përplasjen mes dy tifozërive e veçanërisht të ultrasve të PSG-së me ata të Galatasaray-t. Marsejezja do të këndohet me volum të lartë, për të mbytur vërshëllimat e mundshme të mbështetësve miq.

Në tribunën VIP do të mungojnë presidentët e vendeve respektive, Macron i Francës dhe Erdogan i Turqisë. Luhet jo vetëm kualifikimi matematik, por edhe vendi i parë në grup. Francës i duhet fitorja për vendin e parë, por edhe sigurimi sa më parë i kualifikimit, që do të rinovonte automatikisht kontratën e trajnerit Didier Deschamp.