3.4 mln € në “Toyota Yaris”, Gjykata belge kërkon dëshmi nga Basha

Prokuroria belge kërkon që dhe kreu i opozitës Lulzim Basha të pyetet për çështjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku në 2 automjete u zbuluan 3.4 milionë euro.

Kjo çështje që po hetohet në Shqipëri, por edhe në Belgjike. Kështu një gjykate belge i ka kërkuar Prokurorisë shqiptare që të pyesë për llogari të saj edhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se nga e kishte mësuar informacionin për makinën me para.

Në 22 maj në organin e akuzës ka ardhur kërkesa ku gjyqtari belg, Laurence Heusghem i ka kërkuar dy Prokurorëve të çështjes që t’i bëjnë tre pyetje kreut të PD: Pyetja e parë është se si u informua Basha për sasinë prej 3,4 milionë Euro? Cilat ishin informacionet ekzakte? Si dhe: Kush ia dha zotit Basha këtë informacion?

Përveç kërkesës, mësohet se autoritetet belge kanë nën hetim 12 persona, të cilët janë: Elvis Vladi, Alfred Vladi, Edi Lika, Klejdi Cani, Alban Mollaymerit, Agim Ceka, Albana Vladi, Imam Imami, Alban Imami, Arianit Nimani, Drita Sopi dhe Dritan Hakaj.

Deri tani në burg në Shqipëri janë 4 persona, për 3.4 milionë eurot, të zbuluara në dy automjetet në Portin detar të Durrësit.

Çështja u bë politike, pasi në një nga seancat plenare kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke reaguar ndaj socialistëve të cilët nisën të qeshnin me fjalën e tij, iu drejtua kreut të Grupit socialist Taulant Balla: “njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them. Dhe ka porositur një Toyota Yaris, por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda”./ Opinion.al