20 vjet më parë iu hap dera si refugjatë në Kukës, dje shërbeu në Thumanë si polic i Kosovës

Shqipëria u godit nga një tërmet me rihter 6.4 shkallësh mëngjesin e së martës.

Ky tërmet mori jetën e shumë njerëzve, lëndoi shumë të tjerë dhe nën rrënojat e ndërtimeve të shkatërruara vazhdojnë të jenë ende shumë njerëz.

Thumana dhe Durrësi ishin dy qytetet më të prekura nga lëkundjet e tokës, të cilat vazhdojnë edhe sot por me rihter më të ulët.

Për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë në këtë situatë shumë të vështirë për t’u përballur nga Kosova shkuan shumë policë, ushtarë e zjarrfikës, duke mos haruar edhe njerëzit vullnetarë.

Një gjë e veçantë ndodhi me njërin nga pjesëtarët e Njësië Speciale të Kosovës, shkruan Indeksonline.

Hasan Mulaj është pjesëtari i PK-së që në vitin 1999 ishte refugjatë në Kukës, aty ku kërkoi ndihmë përderisa Kosova po përballej me gjendje lufte.

Dyert e mikpritjes dhe mirësisë Hasanit iu hapën në vitin 1999 në Shqipëri, ndërsa ai këtë herë shërbeu në Thumanë, për të kthyer të mirën 20 vjet më vonë.

“I njëjti destinacion, i njëjti qëllim. Dora për ndihmë. 20 vjet më parë për ta kërkuar, 20 vjet më pas ta kthyer. Gjithmonë mirënjohës”, u shpreh Mulaj nga Skenderaj./Indeksonline/