2 Korriku i vitit 1990 sipas dokumenteve arkivore

Ismail REXHEPI – Sadik MEHMETI

 CILI ISHTE VENDIMII GJYQIT KUSHTETUES TË ISH-RSFJ-SË PËR DEKLARATËN KUSHTETUESE TË 2 KORRIKUT 1990

 Perceptimi i Kosovës dhe i zgjidhjes së çështjes së saj, është kundruar me njërin nga faktorët më të rëndësishëm të qytetarëve, i cili nuk i mohon ligjshmëritë shoqërore, historike e juridike të zhvillimit të deri sotëm dhe ato të zhvillimit të ardhshëm të Kosovës dhe më gjerë. Ky është vullneti politik i qytetarëve të Kosovës.

Vullneti i popullit në përcaktimin e zhvillimit dhe të fatit të vetë përgjithësisht është një nga kategoritë konceptuale të shumë dokumenteve ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të Këshillit të Evropës. Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka pranuar se: “Kosova është një etnitet nën administratën e përkohshme ndërkombëtare, që, me popullin e vetë ka atribute unike historike, juridike, kulturore dhe gjuhësore”.

Identiteti i territorit dhe identiteti i qartë i popullsisë shumicë të Kosovës ndryshon nga identiteti i territorit dhe popullsisë së Serbisë i disa vendeve përreth Kosovës. Identiteti i popullit, i territorit dhe i historisë kulturore, përcakton subjektivitetin e popullit të Kosovës. Ky identitet i Kosovës dhe pasojat e shtypjes së rëndë që janë ushtruar nga organet dhe institucionet e pushtetit të Serbisë, sidomos që nga viti 1981 e deri në vitin 1999, ua kanë marrë të drejtën njerëzore dhe morale -institucioneve të Serbisë së sotme që ta konceptojnë Kosovën dhe – popullin e saj sipas të kaluarës para vitit 2000.

Pra, përballë mbështetjes së vullnetit të popullit të Kosovës për të drejtën e vetëvendosjes, qëndron synimi i gati të gjithë partive politike të Serbisë dhe i Parlamentit të saj ndaj Kosovës, të cilën e konsiderojnë pjesë të pandashme të territorit të Serbisë! Ky synim në Serbi ka gjetur mbështetje sidomos në Kishën Ortodokse Serbe, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Serbisë dhe në universitetet e Serbisë, veçanërisht në Universitetin e Beogradit. Qëndrimin e këtillë Diaspora serbe e përkrahë, të thuash, pa rezervë, por gjenden ithtarë të saj edhe nga radhët e të tjerëve.

Subjektiviteti i Kosovës, respektivisht i popullit të saj ka karakter unik dhe integral dhe, si i këtillë, manifestohet në vullnetin e tij pa të cilin ky subjektivitet do të ishte i paqenësishëm.

Konsiderojmë se kriter i parë aktual i përcaktimit të statusit politik të Kosovës është vullneti i popullit.

Me këtë synim Kuvendi i Kosovës më 2 korrik 1990 shprehi vullnetin e popullit të tij me Deklaratën Kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të ish-Federatës (Konfederatës) së ish-Jugosllavisë si subjekt i barabartë me njësitë e tjera federale në Federatën/Konfederatën, të cilën po e ofrojmë në këtë punim dhe njëkohësisht vlerësimin e këtij akti nga ana e Gjykatës Kushtetuese të ish-RSFJ-së.

 

VENDIM

 

Për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Deklaratës Kushtetuese për Kosovën si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) Jugosllave si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (Konfederatë)

 

  1. Gjyqi Kushtetues i Jugosllavisë, me aktvendimin II nr. 87/90, datë 21 nëntor 1990, ka nisur procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Deklaratës Kushtetues për Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) jugosllave si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (Konfederatë). (“Fletorja Zyrtare e KSA të Kosovës”, nr. 21/90.)
  2. Me dispozitën e pikës 1 të Deklaratës së theksuar është konfirmuar, se me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet përcaktimi burimor kushtetues i qytetarëve të Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës si akt i vetë deklarimit politik në kuadër të Jugosllavisë.

Me dispozitën e pikës 2 është konfirmuar, se Kuvendi i Kosovës duke e shpallur Kosovën nga ana dhe niveli i tij (Kuvendi) si njësi të barabartë në Jugosllavi mbi bazë të parimit të demokracisë autentike për respektimin e vullnetit të njerëzve dhe kolektivitetit njerëzor dhe kombëtar, pret konfirmimin e këtij akti të vetë konstituiv në Kushtetutën e Jugosllavisë krahas përkrahjes së plotë nga opinioni ndërkombëtar dhe jugosllav.

Me dispozitën e pikës 3 është konfirmuar se Kuvendi i KSA të Kosovë, Kosova dhe pozita e saj kushtetuese konfirmohet si bashkësi kushtetuese-politike dhe nivel i përbashkët kushtetues-politik i qytetarëve dhe kombeve të barabarta të Kosovës, në të cilën shqiptarët shumicë dhe njëri nga popujt më të mëdhenj në jugosllavi – njëjtë si serbët dhe popujt e tjerë në Kosovë – të konsiderohen popull e jo kombësi (minoritet).

Me dispozitën e pikës 4 është konfirmuar se në ndërkohë gjerë në zbatimin juridik përfundimtar të kësaj deklarate kushtetuese, Kuvendi dhe organet qeverisëse të Kosovës, raportet e veta në rregullimin kushtetues jugosllav, i mbështesin në Kushtetutën pozitive të Jugosllavisë, e jo në amendamentet e Kushtetutës së Republikës Socialiste të Serbisë të vitit 1989, me të cilën anulohet Vendimi i Kuvendit të Kosovës, datë 23 mars 1989 për dhënien e pajtueshmërisë në ato amendamente.

Me dispozitën e pikës 5 konfirmohet se Kuvendi i Kosovës gjerë tek hartimi i kushtetutës së re të Kosovës zyrtarisht do të komunikoj me emrin Kosovë.

Me dispozitën e pikës 6 konfirmohet se Deklarata hyn në fuqi menjëherë dhe se e njëjta do të shpallet në “Fletoren zyrtare të KSA të Kosovës”.

  1. Me dispozitat e nenit 1 dhe 2 të Kushtetutës së Jugosllavisë është përcaktuar, se Jugosllavia është shtet Federativ, si bashkësi shtetërore e popujve të bashkuar vullnetarisht dhe republikave socialiste, si dhe i KSA të Vojvodinës dhe KSA të Kosovës, të cilat janë në kuadër të Serbisë dhe se RFSJ-në e përbëjnë: RS e Bosnjës dhe e Hercegovinës, RS e Maqedonisë, RS e Sllovenisë, RS e Serbisë, si dhe KSA të Vojvodinës dhe të KSA të Kosovës, që janë në kuadër të RS Serbisë dhe RS e Kroacisë dhe RS e Malit të Zi.

Me dispozitën e nenit 3 të Kushtetutës së RSFJ-së, është paraparë që republika socialiste është shtet i mbështetur në sovranitetin e popullit dhe në pushtetin e vetëqeverisjen së klasës dhe të gjithë njerëzve punues dhe bashkësitë demokratike vetëqeverisëse socialiste e njerëzve punonjës dhe e qytetarëve dhe e kombeve dhe kombësive të barabarta, kurse me dispozitën e nenit 4 të Kushtetutës së RSFJ- është paraparë që krahina socialiste autonome është bashkësi shoqërore-politike demokratike vetëqeverisëse socialiste e mbështetur në pushtetin dhe në vetëqeverisjen e klasës punëtore dhe e gjithë njerëzve punonjës, në të cilën njerëzit punonjës dhe qytetarët, kombet dhe kombësitë i realizojnë të drejtat e tyre sovrane, e kur kjo është në interes të njerëzve punonjës dhe të qytetarëve, kombeve dhe kombësive të Republikës, si tërësi, me Kushtetutën e RS të Serbisë është paraparë – edhe në republikë.

Me dispozitat e nenit 5 të Kushtetutës së RSFJ-së është paraparë uniteti territorial i RSFJ-së dhe se atë e përbëjnë territoret e republikave socialiste (paragrafi 1) dhe se territori i republikës nuk mund të ndryshohet pa pajtimin e republikës, kurse territori i republikës as pa pajtimin e krahinës autonome (paragrafi 2), dhe se kufiri i RSFJ-së nuk mund të ndryshohet pa pajtimin e të gjitha republikave dhe krahinave autonome (paragrafi 3) dhe se kufijtë në mes të republikave mund të ndryshohen vetëm mbi bazë të marrëveshjeve reciproke, e në qoftë se  ka të bëjë me kufirin e krahinës autonome – edhe mbi bazë të pajtimit të saj (paragrafi 4). Gjyqi Kushtetues i Jugosllavisë, duke u mbështetur në dispozitat e theksuara të Kushtetutës së RSFJ-së, ka vlerësuar se deklarata e theksuar për Kosovën nuk është në përputhje me Kushtetutën e RSFJ-së. Këtë vlerësim Gjyqi Kushtetues e mbështet në faktin se sipas dispozitave të Kushtetutës së RSFJ-së, republikat socialiste janë shtete të bazuara në sovranitetin e popujve, ndërsa KSA e Vojvodinës dhe KSA e Kosovës janë bashkësi autonome shoqërore-politike në kuadër të RS të Serbisë. Kjo do të thotë, – sipas Kushtetutës së RSFJ-së, – se KSA e Vojvodinës dhe KSA e Kosovës nuk njësi federale, sikur që janë republikat, por ato janë bashkësi shoqërore-politike në kuadër të RS të Serbisë, kjo, sipas Kushtetutës së RSFJ-së, do të thotë se KSA e Vojvodinës dhe KSA e Kosovës nuk janë njësi federative, siç janë republikat, por ato janë bashkësi shoqërore politike në kuadër të Serbisë. Pozita e krahinave autonome është konfirmuar me Kushtetutën e RSFJ-së dhe me Kushtetutë të RS të Serbisë në kuadër të së cilës janë ato, andaj pozita e tyre nuk mund të ndryshohet pa ndryshimin e Kushtetutës së RSFJ-së dhe të Serbisë. Ndryshimi i karakterit të krahinave autonome, respektivisht shpallja e Kosovës njësi me vete dhe e barabartë me republikat e tjera në kuadër të RSFJ-së, d.m.th. ndryshim i strukturës së RSFJ-së si federatë, të cilën e përbëjnë republikat socialiste si shtete dhe njësitë federale, edhe KSA e Vojvodinës dhe KSA e Kosovës si bashkësi autonome shoqërore-politike në kuadër të RS të Serbisë, për këtë arsye, sipas Gjyqit  Kushtetues të RSFJ-së, Kuvendi i KSA të Kosovës nuk ka mundur ta ndryshojë karakterin e krahinës autonome të konfirmuar me kushtetutë  të RSFJ-së.

Shpallja e KSA të Kosovës njësi me vete dhe e barabartë me republikat e tjera në kuadër të RSFJ-së, sipas vlerësimit të Gjyqit Kushtetuese të RSFJ-së, d.m.th ndryshim i territorit dhe kufijve të RS Serbisë, në kuadër të së cilës gjendet KSA e Kosovës dhe kjo pa pëlqimin e saj, e që nuk është në akordim me dispozitat e nenit 5 të Kushtetutës së RSFJ-së me të cilën është konfirmuar se territoret dhe kufijtë e republikës nuk mund të ndryshohen pa pëlqimin e saj.

Gjyqi Kushtetues konsideron se nuk është në akord me kushtetutën e RSFJ-së që kombësia shqiptare në Kosovë të shpallet popull-komb i Jugosllavisë, sepse sipas Kushtetutës së RSFJ-së shqiptarët në Kosovë janë kombësi dhe si kombësi nuk mund të shfrytëzojnë të drejtën në vetë përcaktim dhe të shpallin KSA e Kosovës njësi federale sikur që janë republikat, duke pasur parasysh, sipas Kushtetutës së RSFJ-së se të drejtën për vetë përcaktim e kanë vetëm popujt e Jugosllavisë dhe jo edhe kombësitë.

Sipas vlerësimit të Gjyqi Kushtetues, nuk është në harmoni me Kushtetutën e RSFJ-së që Kuvendi i Kosovës dhe organet e tjera qeverisëse në Kosovë marrëdhëniet e veta në rregullimin kushtetues të Jugosllavisë t’i mbështesin vetëm në Kushtetutën e Jugosllavisë dhe jo edhe në Kushtetutën e RS Serbisë, sepse në kushtetutën e RSFJ-së (neni 1 dhe 2) është konfirmuar se KSA e Kosovës është në kuadër të Serbisë, që d.m.th se interesat e përbashkëta të RS të Serbisë dhe të KSA të Kosovës patjetër duhet të konfirmohen edhe me Kushtetutën e :RS të Serbisë, si akti juridik më i lartë në RS të Serbisë dhe se ajo Kushtetutë patjetër duhet të respektohet dhe të zbatohet edhe në KSA të Kosovës.

  1. Gjyqi Kushtetues i RSFJ-së në mbledhjen mbajtur më 19 shkurt 1991, me shumicë votash, krahas një vendimi të rezervuar mori:

 

VENDIM

 

Anulohet Deklarata Kushtetuese e Kosovës si njësi e vetme dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) Jugosllave si subjekt i barabartë me njësitë e tjera në Federatë (Konfederatë). (“Fletorja zyrtare” e KSA të Kosovës, nr. 21, 1990.)

Vendimi të shpallet në “Fletoren zyrtare të RSFJ-së” dhe n “Fletoren zyrtare të KSA të Kosovës”.

Këtë vendim Gjyqi Kushtetues e ka marrë në përbërje: Milovan Buzaxhiç, Kryetari i Gjyqit Kushtetues të Jugosllavisë dhe Hrvoje Baqiç, Bozhidar Bullatoviç, Dr. Omer Ibrahimagiç, Dr. Branisllav Ivanoviç, Pjetër Kola, Dimçe Kozarov, Veljko Markoviç, Dushan Ruzhiç, gjyqtarë.

 

Gjyqi Kushtetues i Jugosllavisë

II – U – Nr. 87/90

19 shkurt 1991, Beograd

Kryetari i Gjyqit Kushtetues të Jugosllavisë

Millovan Buzaxhiç, d.v.

 

 

SHPËRNDAJE