18 kandidatët e listës AAK-PSD me aktakuza, që u doli punë me drejtësinë

Koalicioni AAK e PSD kanë publikuar listën me 110 kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ndonëse në premtimet kryesore para nisjes së fushatës, është lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, këto dy subjekte nuk i kanë filtruar aspak kandidatët të cilët kanë qenë të dënuar, apo janë në proces gjykimi për raste të ndryshme penale, shkruan lajmi.net.

Lajmi.net ua sjell përmbledhjen e kandidatëve për deputetë nga AAK-PSD të cilët në të kaluarën ka pasur probleme me ligjin, dhe ata të cilët aktualisht kanë aktakuza për vepra të ndryshme penale.

1 . Ramush Haradinaj – aktualisht është i ftuar nga Gjykata Speciale me seli në Hagë në cilësinë e të dyshuarit. Ftesa ndaj Haradinajt ka të bëjë me dyshimet për krime lufte, akuza ndaj të cilave Haradinaj ishte shpallur dy herë i pafajshëm në instanca ndërkombëtare.

2.Pal Lekaj – nga Prokuroria Themelore e Gjakovës akuzohet për korrupsion. Pal Lekaj akuzohet se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ka shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Ai po ashtu po hetohet për aferën e 53 milionë eurove në ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

3.Shqipe Pantina – në të kaluarën ishte akuzuar nga prokuroria, për mbajtje në pronësi dhe posedim të pa autorizuar të armës si dhe për sulm ndaj personit zyrtarë. Aktakuza ndaj Shqipe Pantinës kishte të bënte me veprimet e saja sa ishte pjesë e Vetëvendosjes dhe hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

4.Xhafer Gashi – në pozitën e kryetarit të Komunës së Obiliqit dhe Drita Hashani në cilësinë e përfaqësueses ligjore të kësaj komune, akuzoheshin se më 7 janar 2014, me dashje nuk e kishin ekzekutuar Aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, i cili ishte i plotfuqishëm sipas Aktvendimit të Gjykatës së Apelit. Prokurori pretendonte se dy të akuzuarit e kishin ditur se ekzekutimi i vendimeve të plotfuqishme gjyqësore, përbën vepër penale. Megjithatë, prokuroria kishte vendosur në maj të 2017-tës të hiqte dorë nga ndjekja penale ndaj Gashit.

5.Donika Kadaj – Bujupi – edhe Kadaj Bujupi njësoj si Shqipe Pantina, kishte aktakuzë në rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend. Ajo akuzohej për “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të pa autorizuar të armëve sipas nenit 374 për 1 të KPPK-së”. Kada Bujupi për të njëjtat akuza ishte arrestuar edhe në nëntor të vitit 2017, së bashku me tashmë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendose, Albin Kurtin, të cilët vuajtën dënimin në burgun e Lipjanit për pesë javë.

6.Teuta Haxhiu – në të kaluarën ishte përballur me drejtësinë sa kishte qenë pjesë e opozitës. Bashkë me deputetët tjerë të AAK-së dhe ata të VV-së akuzoheshin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend. Bashkë me Albin Kurtin dhe të tjerët, më 3 janar të 2018-tës ishte shpallur fajtore nga ku ishte dënuar me kusht.

7.Besa Baftiu – gjatë kohës që ishte pjesë e VV-së ishte përballur me aktakuzë nga Prokuroria, për rastin e njëjtë si të ish-kolegëve të saj, atë të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

8.Shkumbin Demaliaj – sigurisht që personi që ka më së shumti probleme me drejtësinë në këtë listë është ish-deputeti Shkumbin Demaliaj. Ai nga Prokuroria Speciale bashkë me 11 anëtarët e Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit është i akuzuar për listat e fryera të veteranëve. Po ashtu, ndaj Demaliajt tash së fundmi është ngritur aktakuzë për kërcënimet ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj.

9.Frashër Krasniq – ndaj tij ka aktakuzë aktive për lëndim të lehtë trupor. Ai akuzohet për përleshjen që kishte pasur me ish-deputetin Milaim Zeka në një emision televiziv. Në të kaluarën, Krasniqi kishte pasur aktakuzë edhe për terrorizëm. Ai bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të VV-së akuzohej për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

10.Blerim Kuçi – as në të kaluarën e as tash nuk kishte pasur punë me drejtësinë vendore. Megjithatë, ai do të përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Kuqi është i ftuar nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit. Ai së fundmi është marrë në pyetje nga prokurorët e Hagës, ku është mbrojtur në heshtje.

11.Gani Dreshaj – akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për veprën penale “kanosje”. Rasti ka të bëjë me konfliktin verbal mes tij dhe ish-deputetit të LDK-së, Arben Gashi në Kuvendin e Kosovës.

12.Fisnik Ismaili – ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për veprën penale pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

13.Lulzim Kabashi – listës së personave që do të përballen me Gjykatën Speciale së fundmi iu shtua edhe Lulzim Kabashi. Ky i fundit që ftesën e bëri publike para dy ditëve, do të paraqitet fillimisht në cilësinë e dëshmitarit para zyrave të Prokurorit të Specializuar.

14.Ramiz Qeriqi – është intervistuar nga prokurorët e Hagës në cilësinë e të dyshuarit. Para disa kohësh ai ishte intervistuar në Prishtinë në pamundësi të udhëtimit në Hagë.

15.Driton Çaushi – i përket listës së deputetëve të cilët gjykohen për rastin e hedhjes së gazit lotjsellës në Kuvendin e Kosovës, gjatë kohës që i njëjti ishte në Vetëvendosje. Për këtë vepër penale, ai ishte përballur edhe me aktakuzë.

16 . Rrustem Berisha – njëjtë si ndaj Shkumbin Demaliajt ka aktakuzë aktive për rastin e veteranëve të rrejshëm. Ky i fundit në mandatin e fundit qeverisës ishte ministër i mbrojtjes.

17.Dardan Molliqaj – Ishte arrestuar më herët gjatë këtij viti në bazë të një urdhër – arresti ndaj tij. Arsyeja e arrestimit kishte të bënte me kallëzimin penal të ushtruar ndaj tij dhe kërkesën për intervistim, ndaj të cilës ai nuk ishte përgjigjur.

19. Shyqyri Bytyqi – i cili ditë më parë i’u bashkua partisë së Shpend Ahmetit PSD-së, po hetohet për veprën penale kanosje ndaj zyrtarit të MASHT, Ferit Idrizi