14% e ushqimit botëror humbet rrugës, drejtori i FAO-s: me 820 milion të urritur, e dhimbshme!

Gati 14% e ushqimit të prodhuar në të gjithë botën humbet para se të arrijë në pakicë, njoftoi të hënën Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi (FAO).

Agjensia tha që ulja e kësaj shifre do të ndikonte në  rritjen globale ekonomike dhe produktivitetin dhe do të kontribuojë në luftimin e urisë globale dhe zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë.

“Shpesh pyes veten se si mund të lejojmë që ushqimi të hidhet kur më shumë se 820 milion njerëz në botë janë akoma të uritur çdo ditë?”, tha drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, Qu Dongyu në raport.

FAO bën dallimin midis “humbjes” së ushqimit, një term që i referohet ushqimit që humbet pas prodhimit ose në tranzit në dyqane, dhe ushqimit që përfundon si “mbeturina”, domethënë ushqimi i pashitur, i hedhur nga supermarketet ose nga konsumatorët që nuk e konsumojnë atë.

Në vitin 2011, FAO raportoi se gati një e treta e ushqimit në botë harxhohet ose përfundon në mbeturina çdo vit, dhe në një raport të fundit tha se ishte një vlerësim “shumë i ashpër”.

Agjensia deklaron se do të lëshojë një vlerësim të sasisë së ushqimit që përfundon si “mbeturina” në të gjithë botën.

FAO thekson se zgjidhja e këtij problemi është shumë e vështirë dhe eleminimi i plotë i saj mund të mos jetë realist.