103 vjeçarja e bën ëndrrën realitet, mbërrin në Mekën e Shenjt

Shtetasja 103 vjeçare turke, Ayse Topsoy, është shumë pranë realizimit të dëshirës së saj jetësore për të kryer obligimin e Haxhit, për çka ka pritur për dekada të tëra për të vizituar qytetin e shenjtë të Mekës.

E shoqëruar nga i biri dhe nusja e tij, Shukru dhe Aysun, Ayshe thotë për Anadolu Agency (AA) se ka ëndërruar gjatë për të parë nga afër Tokën e Shenjtë, ku dikur ka jetuar profeti Muhammed.

Bashkë me të birin, dorën e të cilit e mbante të shtrënguar, ajo u fut në Xhaminë e Madhe në Mekë, ndërkohë që thotë se mosha e saj dhe moti i nxehtë nuk do ta ndalojë së rrotulluari rreth Qabes.

“Fundja, përse të frikohem nga vdekja?, pyet ajo. “Të gjithë kemi ardhur këtu, tek Qabeja e bukur, për hir të Allahut”, shton më tej.

Ayshe u bën thirrje të rinjve, që të bëjnë pelegrinazhin një herë në jetë.

“Mos prisni shumë gjatë. Është shumë më e vështirë kur jeni të moshuar”, thotë ajo me një buzëqeshje në fytyrë, për të shtuar se sikur të vinte më herët, do të mund të ngjitej edhe në kodër (Jabal al-Nour)”.

I biri i saj, Shukru, rrëfen se nëna e tij zakonisht kryen namazet pa ndihmën e dikujt tjetër. Nëse ka ndonjë vështirësi, përdorë karrocën.

“Ajo ka ëndërruar të vijë këtu. Kemi pritur 10 vjet para se të na vijë shansi, i cili më në fund erdhi”, rrëfen Shukru. “Nëse i keni paratë, duhet t’i sillni prindërit këtu”, thotë ai.