1.3 milion euro për trajtimin e qenve endacak, projekti në fazën finale

Qeveria e Kosovës vitin e kaluar pati ndarë një buxhet prej 1.3 milionë eurosh për trajnimin e qenve endacak. Ndonëse buxheti është ndarë, projekti në terren akoma nuk ka nis së implementuari.

Indeksonline ka kontaktuar zëdhënësen e Qeverisë Donjeta Gashi për të parë se në cilën fazë është ky projekt.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, duke e parë moskapacitetin e Komunave për të trajtuar numrin e madh të qenve endacak ka marrë vendim që në këtë vit të organizohen instancat qendrore, duke ndarë mjete prej 1 milionë e 390 mijë euro për trajtimin e tyre. AUVK është në fazën e vlerësimit të ofertave për kompanitë e veterinarëve të licencuar të cilët do të merren me implementimin e këtij aksioni. Që do të thotë, që deri me 15 Prill kemi dalë në terren për trajtimin e qenve endacak, konkretisht: Nxënie, trajtim, sterilizim, kastrim, hospitalizim dhe në rastet kur qentë janë të sëmurë me një raport të mjekut veterinarit, të bëhet eutanazia dhe bëhet groposja në vendlokacionet që kanë me i caktu komunat e Kosovës”, tha Gashi.

Ajo ka treguar se në Kosovë llogaritet të jenë rreth 20 mijë qenë endacak, ndërsa kostoja për trajtimin e një qeni është 75 euro.

“Llogaritet që janë rreth 20 mijë qenë në gjithë Kosovën, derisa në aksion do të përfshihen të gjitha Komunat e vendit (38), apo 7 regjione. Parashihet një mesatare që secila Komunë i ka nga 420 qen endacak dhe kostoja për trajtimin e një qeni është rreth 75 euro”, shtoi Gashi.

Ndërkaq, Lamir Thaçi nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka thënë se aktualisht janë duke u vlerësuar ofertat e dorëzuara.

“Projekti “Menaxhimi dhe kontrolli i qenve endacak” është në fazën finale te përzgjedhjes se subjekteve veterinare private. Janë duke u vlerësuar ofertat e dorëzuara dhe shpresojmë që shumë shpejt të përfundojnë të gjitha procedurat dhe të kemi ambulancat veterinare të kontraktuara të cilat do te merren me kapjen, trajtimin, kastrimin, sterilizimin, vaksinimin, identifikimin dhe lëshimin e qenve ne vendin e kapjes”, tha Thaçi.

Ai konsideroi se buxheti i ndarë nga qeveria është i mjaftueshëm.

“Buxheti i ndarë nga Qeveria e Republikës se Kosovës për ketë projekt si fazë emergjente, për momentin është i mjaftueshëm. Në koordinim me ambulancat veterinare të kontraktuara, gjatë fazës emergjente, do te bëjmë me të mirën qe është e mundur për të arritur synimin e projektit në mënyrë që qytetarët e vendit mos të ndihen të rrezikuar nga kafshimi i qenve endacak”, përfundoi Thaçi.

Në këtë mobilizim janë të përfshirë, AUVK, Komunat, Organizatat humanitare për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve dhe shoqatat e veterinarëve.